Një llogaritar ka pranuar para autoriteteve se ka mashtruar klientë të sërës së lartë duke u marrë paratë nga llogaritë. Një prej tyre është edhe ylli i muzikës pop Rita Ora të cilës i ka marrë plotë 3,4 milion stërlina. Andrew Munday, 37-vjeç rrëfeu se kishte mashtruar Rita Orën dhe të tjerë duke u marrë paratë të cilat i përdorte për të blerë shtëpi dhe prona të paluajtshme.
Krimi i tij financiar doli në dritë pas një hetimi të policisë në kompaninë “Blue Cube Business Ltd”. Munday u shpall fajtor nga gjykata e Northampton për 9 akuza. Pas vendimit, avokati i Rita Orës, Graham Shear tha se një pjesë e mirë e parave të grabitura nga llogaritë u arrit të rikuperohen. Shear tha se veprimet e llogaritarit ishin “tmerrësisht të turpshme”.
Një tjetër viktimë e mashtrimit ishte dhe kantautorja britanike, VV Brown e njohur në vitin 2009 për singëllin “Shark in the Water”. Ajo u shpreh se falënderonte Zotin që drejtësia ishte vënë në vend. Së shpejti pritet të jepet edhe dënimi për llogaritarin mashtrues të VIP-ave.