Në Hollywood mund të ndodhë çdo gjë. Gjithmonë kemi dëgjuar për ngacmime seksuale, por kësaj radhe është një mashkull që ka akuzuar një femër.
Të paktën kështu pretendon modeli Josh Kloss, i cili thotë se është viktimë e këngëtares Katy Perry. Dhe kjo sipas tij ka ndodhur 9 vite më parë kur realizohej klipi për këngën “Teenage Dream”. 38 vjeçari thotë se këngëtarja e famshme e ka ngacmuar gjatë xhirimeve.
Josh përmes një postimi në Instagram ka shkruar se në fillim Perry ishte treguar e sjellshme me të, por më pas kishte bërë veprime të pahijshme kundrejt tij. Katy madje e kishte ftuar në një klub striptizmi, por ai nuk kishte pranuar, duke u justifikuar se ishte i lodhur. Gjithashtu Josh ka treguar se një ditë këngëtarja ishte zhveshur para tij duke e vënë në siklet modelin. Të gjithë këto i cilëson si ngacmim, ndërsa rrëfen edhe pse vendosi të flasë pas 9 vitesh.
“Qëllimi im është të tregoj se ka dhe gra që kanë famë apo pushtet që kryejnë veprime të shpifura, njësoj si shumë aktorë apo regjisorë që sot janë nën akuzë” -thotë modeli. Vetë Perry nuk ka reaguar por miq të saj kanë thënë se modeli po hedh këto akuza pasi këngëtarja nuk pranoi të kishte një lidhje me të.
Mbetet për t’u parë nëse këngëtarja do t’i përgjigjet këtyre akuzave, që janë me të vërtetë të rënda dhe dëmtojnë imazhin e saj.