Portugalia, kampionia e Europës në fuqi, është kthyer të buzëqeshë pas një humbjeje dhe dy barazimesh të marra në tri ndeshjet e fundit, që kanë qenë të gjitha miqësore.
Portugezët kanë marrë një fitore bindëse 3-0 kundër Algjerisë, që ka pësuar humbjen e katërt radhazi në katër ndeshjet e fundit që kanë luajtur.
Cristiano Ronaldo është bashkuar këtë javë me skuadrën pas ditëve ekstra që ka patur pushim për shkak të finales së luajtur dhe fituar kundër Liverpool 26 majin e kaluar.
Ylli i Real Madrid ka luajtur 74 minuta dhe ka qenë protagonist, duke dhënë asistin për golin e dytë të realizuar nga Fernandes në minutën e 37-të të pjesës së parë.
Ndërkohë, ka qenë Guedes ai që ka zhbllokuar takimin në minutën e 17-të dhe e ka mbyllur atë në të 55-ën, duke fiksuar shifrat në 3-0
Portugalia është pjesë e Grupit B në Botëror dhe do ta luajë ndeshjen e parë 15 qershorin e ardhshëm kundër Spanjës, në orën 20:00.