Skënderbeu merr një tjetër penalitet, pas dënimit me 10 vite përjashtim nga kompeticionet europiane. Mbrojtësi Kosovar Bajram Jashanica ka rezultuar pozitiv në testin anti-doping pas ndeshjes kundër Young Boys në Europa Ligë.
Jashanica do të lihet jashtë fushave të blerta deri në shkurt të vitit 2020. Menjëherë pas publikimit të lajmit se Komisioni i Apelit ka lënë në fuqi dënimin 2-vjeçar për Bajram Jashanicën, për çështjen e dopingut, ka reaguar edhe klubi i Skënderbeut.
Korçarët njoftojnë se pavarësisht argumenteve për uljen e sanksionit UEFA nuk i ka dëgjuar dhe se kjo çështje do të shkojë në CAS.
Më poshtë, edhe reagimi i plotë:
Komisioni i Apelit i UEFA-s vendosi lënien në fuqi të masës disiplinore “pezullim nga aktiviteti” për një periudhë 2-vjeçare për lojtarin e KF Skënderbeut, Bajram Jashanica.
Pavaresisht argumenteve dhe dëshmive të dhëna në seancë gjyqesorë nga ana e lojtarit dhe personave të tjerë të lidhur me çështjen, organi juridik vendosi mospranimin e kërkesës të paraqitur nga Bajram Jashanica për uljen e sanksionit.
Bëjmë me dije se aktualisht, palët janë në pritje për disponimin nga ana e Komisionit të Apelit të UEFA-s të vendimit integral, i cili do të ankimohet në CAS.
KF Skënderbeu i ka ofruar lojtarit të gjithë mbështetjen e mundshme gjatë kësaj periudhe të vështirë për të dhe beson se masa disiplinore është disproporcionale me rrethanat e ngjarjes dhe me shkallën e përgjegjësisë të Bajram Jashanica.
Për këtë arsye, në çdo formë dhe me të gjitha mjetet në dispozicion, do të kërkojmë vendosjen e një mase disiplinore më të ulët, për garantimin e vijueshmerisë së karrierës të lojtarit tonë.
Zyra për Shtyp,
KF Skënderbeu