Nëse ka një kombëtare e cila është në ajër 1 ditë para se të nisë Botërori ajo është Spanja. “La Roha” sot njoftoi se ka shkarkuar trajnerin Julien Lopetegui, i cili dje zyrtarizoi marrëveshjen me Real Madrid për drejtimin e kësaj skuadre pas Botërorit.
Lajmi se Lopetegui do të jetë numri 1 i pankinës së ‘galaktikëve’ është cilësuar si fyerje e rëndë nga federata spanjolle, e cila nuk ka pranuar të negociojë për vendimin.
Mediat në Spanjë shkruajnë se lojtarët kanë mbajtur një mbledhje sot në mëngjes ku kanë dalë me përfundimin që t’i kërkojnë federatës mos shkarkimin e trajnerit, por siç duket kërkesa e tyre ka rënë në vesh të shurdhët.
Kjo situatë ka sjellë edhe shtyrjen e konferencës për shtyp që ishte parashikuar të mbahet sot në mëngjes. Ajo ka nisur rreth 60 minuta me vonesë.
Presidenti i federatës, Rubiales, pasi mori vendimin është shprehur: “Jemi në një situatë të komplikuar, shumë të komplikuar. Vlerësoj shumë Lopeteguin, por ka mënyra të duhura se si të bëhen gjërat. Janë lajmëruar me një telefonatë nga ai vetëm 5 minuta para se Reali të lëshonte deklaratën për shtyp. Ky ekip vazhdon punën pavarësisht trajnerit.”