Spanja ka dominuar me shifra të frikshme ndeshjen e dytë të grupeve ndaj Iranit, por nuk arriti ta konvertonte në gola superioritetin e saj teksa ka fituar vetëm 1-0. Gjithsesi me këtë fitore spanjollët ngjiten në krye të grupit bashkë me Portugalinë, teksa Irani do të luajë për fitore në ndeshjen e fundit ndaj Ronaldo-s me shokë për të siguruar kualifikimin në fazën e nokautit.
Ishte një ndeshje e luftuar nga minuta e parë e deri tek e fundit. Por qëllimet ishin të ndryshme, teksa Spanja luftonte për të zhbllokuar rezultatin, Irani luante me të gjitha forcat për të ruajtur rrjetën të paprekur. Dhe thuajse ia arritën! Pas një pjese të parë pa shumë gjëra për të treguar, e cila u karakterizua nga përpjekjet e panumërta të Spanjës për të çarë barrikadën e 11 lojtarëve iranianë që qëndronin shumë pranë portierit, pjesa e dytë kishte më shumë emocione.
Spanja e nis me më tepër grintë dhe agresivitet dhe me shumë fat arrin të kalojë në avantazh kur topi përplaset në këmbën e Diego Costa-s dhe përfundon në rrjetë. Irani luan si një trup i vetëm, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.
Dhe madje arrin të krijojë dy-tre raste të mira për të barazuar rezultatin (përfshi një gol të anuluar për pozicion jashtë loje, me të drejtë). Në fund janë spanjollët që buzëqeshin, por iranianët duhet të ndihen krenarë për disiplinën dhe shpirtin e garës që ka treguar në fushën e lojës.