FIFA ka nisur një hetim për dy futbollistët shqiptar të cilët bënë shqiponjën gjatë ndeshjes së Zvicrës me Serbinë.
Por hetimi për futbollistët me origjinë shqiptare nuk është i vetmi që FIFA ka hapur, ajo gjithashtu ka nisur një hetim edhe për trajnerin e ekipit serb për deklaratën e tij pas ndeshjes.
Në deklaratën zyrtare, FIFA shkruan se Komiteti i Disiplinës ka nisur hetimet ndaj Xhakës e Shaqirit, duke shtuar madje se, “në lidhje me të njëjtën ndeshje, procedime disiplinore janë hapur edhe ndaj Federatës serbe të Futbollit, për shqetësimet që kanë sjellë tifozët në stadium dhe shfaqjen e mesazheve politike e agresive nga tifozët serbë”.
“Për më tepër, një hetim paraprak është hapur ndaj trajnerit të Serbisë, Mladen Krstajiç, për deklaratat akuzuese që bëri pas ndeshjes në fjalë”.
Ende mbetet e paqartë se për çfarë është hapur hetimi ndaj Krstajiç, por në komentet për reporterët serbë gjatë së shtunës, ai besohet të ketë folur mbi gjyqtarin e ndeshjes, Felix Brych:
“Nuk do t’i nxjerr as karton të verdhë dhe as të kuq, ndoshta do ta dërgoja atë në Hagë, në mënyrë që ata ta nxjerrin para gjyqit, siç kanë bërë me ne”.