Kombëtarja e Zvicrës ka arritur me plot meritë në mesin e 16 më të mirave në Kampionatin Botëror Rusia 2018. Zviceranët të udhëhequr nga futbollistët shqiptarë e lanë mbrapa Serbinë e Kosta Rikën në grup, ndërsa së bashku me Brazilin ecën tutje. Në 1/8 e finales Zvicra do të takohet me Suedinë dhe mungesa e madhe e zviceranëve është kapiteni Stephan Lichtsteiner.
Por me shiritin në krah, Lichtsteinerin do ta zëvendësojë mesfushori nga Kosova, Valon Behrami. Për futbollistin mitrovicas është hera e parë që e mbanë shiritin e kapitenit në një kampionat botëror.
Mesfushori i Udineses ka folur për televizionin shtetëror ku ka thënë se është nder për të që ta mbajë shiritin. “Është një nder që me jepet mundësia të mbaj shiritin e kapitenit në një Kupë Bote, një shtysë për të dhënë edhe më shumë në fushë”.
“Jam krenar që mbaj të veshur këtë fanellë”, u shpreh Behrami. Suedia dhe Zvicra takohen në 1/8 e finales ditën e martë me fillim nga ora 16:00.
Kujtojmë se tek përfaqësuesja e Zvicrës shiritin e kanë mbajtur në ndeshje të caktuara edhe Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka