Trajneri i kombëtares spanjolle Fernando Hierro është i shqetësuar për ndeshjen e sotme ndaj Rusisë, pasi e di që do të luajë ndaj kombëtares vendase, që do të ketë mbështetjen maksimale në këtë sfidë. Sigurisht që në fushë do të jenë 11 kundër 11, por i tërë stadiumi “Luzhniki” do të jetë në mbështetje të rusëve. “E dimë këtë gjë, e dimë se janë një skuadër e fortë, por dimë edhe se ne jemi një ekip kampion. Dimë aftësitë tona dhe se çfarë jemi në gjendje të bëjmë”, tha Hierro.
“Nuk ka për të qenë aspak e lehtë, pasi nuk do të luajmë vetëm 11 kundër 11, por edhe ndaj një stadiumi të tërë. Por kjo gjë nuk duhet të na trembë, përkundrazi, të na motivojë më shumë. Futbolli është me surpriza dhe të papritura, por gjithnjë fiton më i miri. Ne do të kemi mbi shpatulla sytë e miliona fansave që do të na mbështesin dhe do të përpiqemi të bëjmë sa më pak gabime. Ekipi është i përqendruar dhe do të japim jetën tonë për ta fituar këtë sfidë”, tha trajneri Hierro.