Botërori 2018 do të mbahet mend gjatë jo vetëm për eliminimin e skuadrave që nuk na e kishte marrë mendja si Gjermania, Spanja dhe Argjentina, por edhe për çudira të tjera nga tifozët e çmendur nëpër botë.
Një nga ata është Aleksandr Sofronov, prezantuesi i një radioje ruse i cili u detyrua të shkonte me fustan në punë. Kjo erdhi si pasojë e një basti që vuri Sofronov i bindur që Rusia nuk do të triumfonte kudër Spanjës.
“Nëse kjo ndodh, unë do të vij me fustan në punë”, ishte shprehur ditën e ndeshjes prezantuesi i radios ruse, Aleksandr Sofronov.
“Sport FM”, radioja ku punon Sofronov transmetoi live edhe përmes televizionit, pamjet e tij ndërkohë që mbante veshur fustanin me ngjyrë rozë të lehtë. Kaq mjaftoi që fotot të bënin xhiron e botës dhe të qarkullonin në rrjete sociale.