Cristiano Ronaldo-n në të ardhmen duket se do ta shohim te Juventusi dhe spanjollja “Marca” ka përgatitur një artikull ku tregon arsyet se përse portugezi po largohet nga Real Madrid.
Sipas saj e gjitha nis me vërshëllimat që publiku i “Santiago Bernabeu” bënte kundrejt portugezit kur ky i fundit nuk e gjente rrjetën.
Finalja e “Championsit” në Cardiff kundër Juventusit ku Ronaldo realizoi dy herë, presidenti Florentino Perez e telefonoi, duke i thënë se do të kishte përmirësim të kontratës në terma financiarë, por që nuk u bë kurrë. Kjo është vetëm një nga arsyet që e shtyjnë të largohet, sepse ka edhe prapaskena të tjera.
Ndërsa motivi kryesor lidhet me Neymarin. E ndërsa Cristiano fitonte gjithçka me “Los Blancos”, brazialiani vijonte të ishte fiksimi i presidentit Perez. Ishin të pavend fjalët e numrit një të Realit pak para se CR7 të fitonte Topin e fundit të Artë në Paris: “Nëse Neymar dëshiron ta fitojë, le të vijë në Madrid.”
Me Ronaldon në largim e sipër, sipas “AS”, Perez do të nisë një tjetër fushatë blerjesh “galaktike”. Janë dy emrat, që sipas Perez, do të bëjnë të harrohet shumë shpejt Ronaldo: Neymar dhe Mbappe. Për 19-vjeçarin e talentuar francez, që u ble për 180 milionë euro nga PSG, mbetet për t’u mësuar çmimi për të cilin Al Khelaifi do të ishte i gatshëm për ta lënë të largohet drejt Madridit.