Boksieri britanik James DeGale ka marrë vendimin për të hequr dorë nga titullim kampion bote i peshës super të mesme në kategorinë IBF. Ai e humbi titullin kampion vitin e kaluar, por e rifitoi atë në prill të këtij viti kur mposhti Caleb Truax dhe pritej që ta mbronte atë ndaj venezuelianit Jose Uzcategui (i mandatuar nga IBF). Por DeGale ka vendosur që nxjerrë vakant titullin kampion: “Mora vendimin për të mos e mbrojtur këtë titull, pasi kam të tjera plane për të ardhmen time. Synoj duele të mëdha për këtë periudhë të fundit të karrierës time”.
DeGale, 32 vjeç, në karrierën e tij numëron 24 fitore, 2 humbje dhe 1 barazim. “Kam fituar shumë tituj në karrierën time, por kjo është periudha e fundit e karrierës time dhe dua disa duele të mëdha nëse është e mundur. Skuadra ime po punon fort dhe besoj se së shpejti do t’ju bëjmë me dije disa lajme të reja. Nuk ishte e lehtë për mua të merrja këtë vendim, pasi kam punuar fort të arritur deri këtu. Unë besoj se jam në majën e karrierës time dhe kam disa plane për të ardhmen”, tha DeGale, që pritet të kalojë në peshën “light heavyweight” për një duel me kampionët e botës së kësaj peshe.