Oscar Washington Tabarez ose “Gjenerali” siç quajnë ndryshe në Uruguai është shfaqur i qetë në konferencën për shtyp përpara sfidës çerekfinale të Botërorit ndaj Francës.
Tabarez e ka pranuar se Uruguai i tij edhe në këtë sfidë nuk është favorit por do të bëjë gjithçka për të kaluar më tej.
“Jemi të vetëdijshëm për limitet tona. Nuk jemi kurrë favoritë por jemi shumë krenarë. Franca është një kundërshtar shumë i fortë me të cilët kemi një histori tonën, ata na respektojnë dhe ne i respektojmë”, ka thënë Tabarez.
Më pas Tabarez është ndalur te gjendja e njeriut që e çoi Uruguain në çerekfinale me dy golat e tij ndaj Portugalisë, Edinson Cavanit, duke mos dhënë shumë informacione nëse El Matador do të jetë apo jo në fushë, transmeton SS.
“ Është diçka shumë e trishtueshme për një futbollist të dëmtohet gjatë fazës finale të një Botërori. Cavani është një lojtar thelbësor për ne. Ka filluar të punojë për t’u rikthyer në dispozicionin tim, madje ka dyfishuar sforcot. Mendoj se kemi dhënë shumë informacion mbi gjendjen e tij me deklaratat për shtyp, mjafton me kaq. Pasi as unë nuk di gjë mbi gjendjen e lojtarëve të Francës. Të shohim nëse Cavani do të jetë ndaj gjelave”, është shprehur ai.