Mesfushori i kombëtares së Brazilit, Fernandinho si dhe familjarët e tij, kanë rënë pre e fyerjeve raciste dhe kërcënimeve pas autogolit që lojtari shkaktoi në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Botës ndaj Belgjikës.
Në atë sfidë Brazili u mund 2-1 dhe u eliminua nga Botërori, por autogoli ka lënë pasoja te futbollisti që luan me Manchester City në Premier League, duke u quajtur “majmun”, ndërsa në disa raste nuk kanë munguar as kërcënimet me vdekje.
Të kërcënuar janë edhe familjarët e tij në Brazil e Angli, pasi bashkëshortja e tij Rosa Glaucia është fyer në llogarinë e saj në Instagram, madje edhe është kërcënuar, transmeton KP.
Kjo situatë është përsëritur edhe me nënën e Fernandinho, që është detyruar të mbyllë faqen e saj zyrtare për shkak të komenteve raciste. Policia braziliane ka nisur një hetim pasi ka qenë vetë futbollisti që ka kërkuar ndihmën e forcave të rëndit për të evituar probleme të mëtejshme.