E përfshirë në Champions League, falë përjashtimit të Skënderbeut, skuadra e Kukësit, nënkampione e Shqipërisë ka dështuar këtë të mërkurë në objektivin për të hedhur një hap të sigurtë drejt kualifikimit për në fazën tjetër të kualifikueseve. Ekipi verilindor nuk ka mundur dot të marrë më shumë se një barazim pa gola përballë ekipit modest të Maltës, Valletta. Një barazim që ndonëse mban ende plotësisht në lojë Kukësin, nuk i favorizon aspak për ndeshjen e kthimit.
Formacioni i vënë në lojë nga trajneri Pakult, me jo pak por pesë debutues, nuk ka mundur dot të zgjidhë situatat e krijuara, madje as zëvendësimet e realizuara gjatë lojës. Jo vetëm që verilindorët nuk mundën dot të realizojnë golin e fitores, por në minutën e 83’ kanë rrezikuar seriozisht të ndëshkohen kur Santiago me portën gjysmë të boshatisur ka goditur rrjetën e jashtme të portës së mbrojtur nga Frashëri. Kuksianët rrezikojnë seriozisht vetëm në momentet e fundit të lojës, me një rast flagrant të kapitenit Ylli Shameti, por topi i goditur me kokë prej tij, përfundon jashtë kuadratit.
Kukësi-Valletta 0-0
Kukësi: Frashëri, Shameti, Zguro, Qaqi, Rrumbullaku, Musolli, Shkodra, Çyrbja, Melo, Dzaria, Plaku.
Trajner: Piter Pakult
Valletta: Bonelo, Borg, Camileri, Santiago, Piciollo, Pena Beltre, Zerafa, Saleh, Muscat, Alba, Fontanela.
Trajner: Danilo Doncic