Trajneri i Kroacisë, Zllatko Daliç, i cili në sezonin 2008-2009 ka drejtuar edhe Dinamon e Tiranës ka përgëzuar ekipin pas fitores me përmbysje ndaj Anglisë me rezultatin 2:1. 51-vjeçari, njëkohësisht paralajmëroi edhe Francën duke u shprehur se ëndërron të shpallet Kampion Bote.
“E meritonim këtë arritje. Përgëzime djemve, por ata nuk janë normalë. Këta djem të mrekullueshëm e dogjën në fushë. Ajo që kanë arritur sot ka qenë vetëm fantazi më parë. Mënyra si vrapuan, si luftuan, nuk ishte parë ndonjëherë më parë. Falë tifozëve që kishin ardhur nga e gjithë Kroacia, Bosnja apo e gjithë bota. Ende nuk e kemi thënë fjalën tonë të fundit. Nuk besojmë se ky është fundi ynë. Kemi edhe një ndeshje, dhe në dashtë Zoti, do shpallemi kampionë. Ndoshta nuk jemi ende të vetëdijshëm për atë që kemi bërë, por bota nuk e di se çfarë është në gjendje të bëjë Kroacia.”, deklaroi Daliç.
Ndeshja finale do të luhet të dielën në orën 17:00 në stadiumin ‘Luzhniki’.