Franca është shpallur fituesja e Kampionatit Botëror “Rusi 2018”, pasi mposhti ekipin e Kroacisë me rezultatin 4-2 të dielën, duke çuar kështu jo vetëm një trofe në vendin e tyre, por edhe një shumë të majme parash.
Por si ndahet “torta” e FIFA-s për 32 ekipet pjesëmarrëse në Kupën e Botës 2018?
Pas shpalljes kampione bote në sportin më popullor për vitin 2018, FIFA do t’i japë Francës 38 milionë dollarë, ndërsa Kroacia do të marrë 28 milionë dollarë. Nuk është as FIFA, as trajneri Didier Deschamps, por Federata Franceze e Futbollit ajo që do të vendosë se si do të shpërndajë çmimin e vendit të parë.
Paratë për 32 skuadrat dalin nga një ‘shportë’ prej 400 milionë dollarësh, sipas Associated Press, e cila është 12% më e madhe se në Kupën e Botës më 2014. Ndërkohë, gjithsej FIFA ka rezervuar 791 milionë dollarë për t’u dhënë ekipeve të ndryshme të Botërorit 2018 për përgatitjet, lojtarët e tyre dhe performancën.
Çmimet u jepen teknikisht Federatave Kombëtare të Futbollit të ekipeve , që do të thotë se vendosin pikërisht ata se si do t’i ndajnë paratë, çka nënkupton se disa lojtarë mund edhe të përfundojnë duke marrë më shumë se të tjerët.
Ndërkohë, sa i takon skuadrave të tjera pjesëmarrëse, Belgjika e renditur në vend të tretë do të marrë 24 milionë dollarë, ndërsa Anglia në vendin e katërt, 22 milionë dollarë.
Ndërsa, skuadrat nga vendi i 5 – 8 do të marrin në total 64 milionë dollarë, të ndara në mënyrë të barabartë nga 18 milionë secila. 69 milionë dollarë më pas janë parashikuar për skuadrat nga vendi i 9-16, të ndara nga 12 milionë dollarë për 8 skuadrat. Ndërsa, skuadrat e renditura nga vendi i 17-32, FIFA ka akorduar një shumë prej 128 milionë dollarë, ku secila prej tyre do të marrë nga 8 milionë dollarë.
Kylian Mbappe, ishte shprehur më herët se pjesën e tij të parave do t’ia dhurojë Premiers de Corddes, një qendër bamirësie sportive për njerëzit me aftësi të kufizuara.
Në fakt, ndoshta përfitimi më i çmuar që vjen me fitimin e Kupës së Botës është trofeu, i cili peshon më shumë se 5.8 kg i dhe është bërë prej ari 18 karatësh. Projektuar nga një artist italian në vitin 1974, ai vlen deri në 20 milionë dollarë.