Sebastian Vettel ka siguruar sërish “pole position”, këtë herë në Shangai, në garën e vlefshme për Cmimin e Madh të Kinës në Formula 1.
Piloti gjerman i Ferrarit dha mëngjesin e sotëm kohën rekord të kësaj piste, 1’31”095, duke lënë pas shokun e tij të skuadrës Kimi Raikkonen. Pra, ashtu si një javë më parë në Bahrein edhe nesër në Kinë, në vijën e parë të nisjes do të jenë dy pilotët e makinës “kokëkuqe”.
Vettel kapi “pole” në xhiron e fundit të shpejtë që pati në dispozicion, duke lënë pas shokun e skuadrës Raikkonen, një dyshe që konfirmoi se po kalon një moment të mirë dhe se Ferrari është më e shpejtë se sa Mercedes. Pilotët e makinës gjermane u renditën në vendet 3-4, me Bottas që sërish ishte më i shpejtë se shoku i skuadrës Lewis Hamilton.
Më pas, u klasifikuan dy pilotët e Red Bull, ku Max Verstappen la pas shokun e skuadrës Daniel Ricciardo, duke e nisur garën nga vija e tretë. Në “top 10” u renditën edhe Hulkenberg, Perez, Sainz e Grossjean.
Në përfundim të sesionit të parë të provave zyrtare u eliminuan pilotët Sirotkin, Gassley, Stroll, Leclerc e Ericsson, ndërsa në përfundim të sesionit të dytë u eliminuan Magnussen, Ocon, Alonso, Vandoorne e Hartley.
Gara nesër në pistën e Shangait do të nisë në orën 8:10 të mëngjesit me orën shqiptare.