Kukësi është duke vazhduar përgatitjet për ndeshjen e turit të dytë në “Champions League” kundër Qarabag. Përballë është një kundërshtar i fortë, por jo i pakalueshëm thotë mbrojtësi i qendrës Albi Alla, i cili është kthyer në formën e tij më të mirë. Në turin e parë verilindorët mposhtën Valletta-n, por vetëm falë golit në fushën kundërshtare. Presidenti i ekipit Safet Gjici, nuk u shfaq i kënaqur me lojën që skuadra aplikoi, por Alla beson se në këtë moment më i rëndësishëm është kualifikimi.
“Kualifikimi është një gjë e mirë për ekipin e Kukësit dhe për futbollin kuksian. Shpresoj të kemi një vazhdimësi të mirë. Ky është një ekip i ri, dita ditës po gjejmë veten. Me ardhjen e trajnerit Cungu, do gjejmë edhe qetësinë dhe moralin që duhet. Në këtë moment rëndësi ka të marrësh kualifikimin”, tha Alla për “Super Sport”.
Deklarata e Presidentit Gjici për lojën e bukur – “Edhe vjet Kukësi luajti një futboll të bukur, por nuk arriti të kualifikohej. E rëndësishme është që thjesht të marrësh kualifikimin. Unë jam gjithmonë i gatshëm të jap maksimumin tim për ekipin. Aktivizimi është një çështje që i përket trajnerëve. Detyra ime është që kur të futem të jap më të mirën për ekipin”.
Qarabag, “Përballë kemi një kundërshtar të fortë, do të shkojmë për fitore si në çdo ndeshje. Shpresojmë të kemi fatin dhe Zotin me vete e të kalojmë. Do të shohim ndeshjet e radhës, qëllimi është gjithmonë për sukses por t’i marrim ndeshjet një nga një, të shohim pastaj se ku do të shkojmë. Shpresojmë të kemi sukses dhe të arrijmë grupet”, u shpreh futbollisti pogradecar.