Ka dy futbollistë të cilët Real Madridi i do me ngulm. Ata janë Eden Hazard dhe Thibaut Courtois. Dëshira e tyre është që të largohen nga Londra dhe e shikojnë kryeqytetin spanjoll si një destinacion perfekt. Por Chelsea që i ka në pronësi nuk ka ndërmend që të privohet nga xhevahiret e saj.
Maurizio Sarri i shikon si pjesë të rëndësishme në projektin e tij dhe do të tentojë që të bindë të dy futbollistët që të mos largohen. Hazard dhe Courtois do të nisin grumbullimin me londinezët sot pas pushimeve të zgjatura për shkak të pjesëmarrjes në botërorin e Rusisë. Sipas tabloidit anglez “The Sun”, trajneri italian do të zhvillojë një takim me të dy lojtarët, ku do t’ua bëjë të qartë atyre se klubi nuk ka ndërmend që t’i shesë. Ata konsiderohen si asete me rëndësi dhe me largimin tyre, skuadra humbet shumë.
Te Chelsea shpresojnë se idetë e Sarri-t do të arrijnë që të bindin të dy yjet e ekipit. Hazard-it i mbaron kontrata në verën e 2020-ës, ndërkohë që Courtoi-së në sezonin e ardhshëm. Me mesfushorin belg ka pasur diskutime për rinovimin, por deri më tani firmë nuk ka në kontratë. Kurse gardiani e ka bërë të qartë se ai nuk dëshiron që të firmosë e do të largohet si futbollit i lirë, pasi në Madrid qëndrojnë fëmijët e tij dhe ai dëshiron që t’u bashkohet.
Reali është i gatshëm që të paguajë për Courtois 35 milionë paund, ndërkohë që për Hazard-in, oferta mund të arrijë deri në 180 milionë euro. Mesfushori ka pesë vite në Londër dhe dëshiron një aventurë të re. Do t’i takojë Sarri-t detyra e vështirë që të hipnotizojë të dy yjet belgë që të mos largohen nga “Stamford Bridge”.