Mesfushori i Real Madridit, Luka Modriç, do t’i bashkohet skuadrës së tij të mërkurën për ushtrime. Ditët e fundit është spekuluar se ai do të largohet nga klubi madrilen për t’iu bashkuar Interit.
Zikaltrit thuhet se kanë kontaktuar yllin kroat për t’i ofruar një transferim drejt Interit. Një gjë të tillë e ka pranuar edhe trajneri i Interit, Luciano Spalleti, duke thënë: “Do të vazhdoj të ëndërroj së bashku me tifozët”. Ndërsa, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka tentuar t’i shuajë shpresat e zikaltërve duke thënë se ai e shet Modricin vetëm për 750 milionë euro.
Trajneri Julen Lopetegui ka thënë se ata janë duke e pritur kroatin t’i kthehet klubit dhe pastaj do të vendosin nëse ai do të jetë i gatshëm të luajë në ndeshjen e parë të Real Madridit për sezonin e ri.
“Ne do të takohemi me të kur të kthehemi në Spanjë më 8 gusht dhe do ta shohim nëse ai është i gatshëm të luajë në ndeshjen tonë të parë të rëndësishme më 15 gusht”, ka thënë ai.