Skënderbeu dhe Partizani i kanë mbyllur në barazim 45 minutat e para të takimit hapës të kampionatit të 80 në Kategorinë Superiore. Në Korçë ka pasur emocione nga të dyja ekipet, por rrjetat kanë mbetur të paprekura. Edhe nervozizmi e faullat nuk munguan.
Ndeshja nisi me të dyja ekipet të cilat u kujdesën që të qarkullonin topin në mesfushë. Në vazhdim ishte Partizani që e mori iniciativën. Por situata u mor shpejt në kontroll nga korçarët, të cilët nisën të shtonin presionin në portën e mbrojtur nga Alban Hoxha.
Në të 28’, Muzaka pati një rast shumë të mirë për të shënuar golin e parë, por i vetëm përballë gardianit të të kuqve gaboi. Në të 36′, pati një tjetër rast të rrezikshëm në portën e të kuqve, ku Gripshi harkoi por Progni u tregua i shpejtë dhe e largoi nga zona. Minutat e fundit kanë sjellë momente tensioni dhe kartonë të verdhë për Bregun dhe Asanin.