Ylli i Inter, Mauro Icardi do të vazhdojë të jetë pjesë e zikaltërve. Sipas së përditshmes italiane “Corriere dello Sport”, sulmuesi argjentinas ka rënë dakord me kushtet e kontratës së re me këtë ekip dhe pritet që ta nënshkruajë së shpejti.
Icardi është lojtari kryesor i klubit milanez, ku mban edhe shiritin e kapitenit. Gjatë merkatos që sapo u mbyll u përfol për një kalim të mundshëm të tij te Real Madrid, por diçka e tillë nuk ndodhi. Ndërkohë që për të patën shfaqur disa ekipe, si; Chelsea dhe Juventus. Megjithatë 25-vjeçari ka vendosur që të qëndrojë në “San Siro” deri në të ardhmen e afërt.
Me kontratën e re që Icardi firmosi me zikaltërit, ai do të fitojë 8 milionë euro në sezon për pesë vite deri në vitin 2023. Duke e bërë atë pjesë të pandashme të projektit të italianëve. Pasi Interi kërkon që të kryesojë në Seria A. Pas një sezoni të mirë vitin e kaluar dhe një merkato pozitive këtë verë, klubi milanez do të synojë që të arrijë objektivat me sukses këtë sezon.