Emiliano Vila i befasoi të gjithë duke u zyrtarizuar si afrimi më i ri i Korfuzit në Ligën e Dytë të Greqisë. Mesfushori 30-vjeçar, në një prononcim për Supersport tha se ishte bindur nga projekti i klubit dhe kushtet e kontratës.
Jam shumë i lumtur që kjo tratativë u mbyll me sukses, duke e ditur që më kanë ofruar një kontratë afatgjatë. Për mua është një mundësi shumë e mirë. Futbolli në Greqi është i vështirë, por unë kam luajtur edhe më parë te Pas Janina. Ekipi ka bërë hapa të mirë për t’u ngjitur në Superligë. Më pëlqeu projekti dhe do të bëj më të mirën për ta ndihmuar skuadrën në arritjen e objektivit. Shpresoj të kthehem në formën më të mirë, ai Vila që luante disa vite më parë në Greqi.
Vila zbulon se ka qenë trajneri i Korfuzit, Dimitrios Spanos, ai që ka këmbëngulur për afrimin e tij.
Më panë pritur shumë mirë, trajneri është shumë i kënaqur, është ai që ka kthyer Arisin në Superligë. Ai më njeh shumë mirë dhe ka këmbëngulur shumë që unë të vijë këtu. Jam 30 vjeç, në kulmin e formës time, dhe shpresoj që Korfuzi të jetë trampolinë për të luajtur në një skuadër më të madhe.
Akuzat se braktisi Skënderbeun në momentin e fundit Vila i hedh poshtë, duke shpjeguar se ka patur një marrëveshje me presidentin Takaj.
Kam dëgjuar zëra që Vila e braktisi Skënderbeun para ndeshjes me Partizanin. Por kjo nuk është e vërtetë, unë kisha rënë dakord me presidentin Takaj që nëse do të më vinte oferta e duhur do të largohesha. Kampionatin shqiptar e parashikoj shumë të fortë, janë 3-4 skuadra që pretendojnë për titullin kampion./Supersport