Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit është mbledhur sot për të analizuar sjelljet josportive të konstatuara në javën e parë të Kategorisë Superiore.
Vëmendja më e madhe ka qenë te dhuna e shënuar në stadiumin “Skënderbeu”, ku tifozëria korçare dhe ajo e Partizanit u përleshën, duke sjellë ndërprerjen e ndeshjes përreth 15 minuta.
Komisioni i Disiplinës reagoi me dorë të ashpër, duke dënuar klubin korçar me 300 mijë lekë gjobë dhe 5 ndeshje pa spektatorë, ndërsa atë të Partizanit me 200 mijë lekë dhe 4 ndeshje pa spektatorë.
Gjithashtu u pezullua me dy ndeshje edhe presidenti i skuadrës së Laçit, Pashk Laska, për sjellje të pahijshme ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në sfidën e Superkupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut.
JA VENDIMET:
1.Zyrtari i KF “Laçi”, Pashk Laska për protesta ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes kundër KF “Skënderbeu” e vlefshme për Superkupën e Shqipërisë, në bazë të nenit 56/1/a) të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet. Në bazë të nenit 20, zyrtarit i ndalohet hyrja dhe qëndrimi në dhomat e zhveshjes, territorit përreth fushës së lojës dhe stolit të rezervave.
2.KF “Tirana”, paralajmërohet se në rast përsëritje të sjelljes së gabuar të spektatorëve do të jetë subjekt i masave ndëshkimore që përmban Kodi i Disiplines Sportive.
3.FK “Kukësi”, paralajmërohet se në rast përsëritje të reagimeve paragjykuese ndaj zyrtarëve të ndeshjes, do të jetë subjekt i masave ndëshkimore që përmban Kodi i Disiplines Sportive.
4.KF “Skënderbeu”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke përdorur mjete ndezëse, hedhur gurë brenda rrethimit të fushës duke shkaktuar akte dhune dhe ndërprerje të përkohshme të ndeshjes kundër FK “Partizani”, në bazë të nenit 66/1 dhe 66/3/b) të KDS dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqindmijë) lek dhe zhvillimin e 5 (pesë) ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës.
5.FK “Partizani”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke përdorur mjete ndezëse, hedhur gurë brenda rrethimit të fushës duke shkaktuar akte dhune dhe ndërprerje të përkohshme të ndeshjes kundër KF “Skënderbeu”, në bazë të nenit 66/1 dhe 66/3/b) të KDS dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqindmijë) lek dhe zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë.
6.Mos shqyrtimin e kërkesës së lojtarit të KF “Vora”, Artur Sejdini, duke mos qënë kjo kërkes në kompetencë të Komisionit të Disiplines Sportive.