Legjenda e Manchester Unitedit, Ryan Giggs, mendon se bashkëkombësi i tij nga Uellsi, Gareth Bale, është mjaftueshëm i mirë për ta zëvendësuar hapësirën e lënë bosh nga largimi i yllit portugez, Cristiano Ronaldo.
Largimi i një lojtari që ka arritur të fitojë pesë herë Topin e Artë ka rezultuar të mos jetë e lehtë për Real Madridin, pas transferimit të Ronaldos në Juventus për 112 milionë euro.
Asnjë zëvendësim i drejtpërdrejtë për pozitën e Ronaldos nuk është bërë ende, përveç marrëveshjes që ka arritur klubi madrilen me Lyonin për kthimin e Mariano Diazin përsëri në Spanjë.
Trajneri i Real Madridit, Julen Lopetegui, nuk ka dëshiruar të transferojë lojtarë të tjerë në skuadrën e tij, pasi që ka besim të plotë në Gareth Balein, Karim Benzema dhe Marco Asensio. Të njëjtin mendim e ka edhe Ryan Giggs.
“Kur dikush si Cristiano largohet, atëherë gjithmonë do të ketë më shumë vëmendje dhe presion në lojtarin që do ta zëvendësojë atë sa i përket golave dhe rrezikut”, ka thënë Giggs.
“Është një hapësirë e madhe e mbetur bosh por Garethi ka përvojë tani pasi që ka qenë në klub për një kohë të gjatë. Çdo vit ka më shumë presion mbi të dhe ai e ka përballuar këtë në mënyrë të mrekullueshme”.
“Është ndryshe këtë vit sepse Cristiano është larguar dhe tani do te këtë më shumë vëmendje mbi lojtarët që duhet t’i zëvendësojnë golat e tij. Por, Garethi i ka shfaqur aftësitë e tij në ndeshjet e mëdha dhe ai mund t’i përballojë të gjitha gjërat që i dalin përpara”.