Rrëfimi i Çanit: Partizani një zhgënjim, s’ka profesionalizëm

Premte, 14 September 2018 08:57

Edgar Çani nuk e ka kapërdirë dot mënyrën sesi u nda te Partizani. Sulmuesi e pranon që nuk pati as fat, sepse dëmtimet nuk e lanë të qetë, por kritikon ashpër mënyrën sesi menaxhohet klubi i kuq dhe për më tepër thotë se mungon profesionalizmi.

“Moxhi më premtoi se do të punoja në një klub profesionistësh, por aty nuk kishte seriozitet. Çfarë thoshte njëri, nuk e miratonte tjetri… Mbeta i zhgënjyer aq shumë, saqë edhe kur mora ofertë nga një klub tjetër i Superiores, nuk pranova të qëndroja më në Shqipëri”, ka thënë ndër të tjera Çani në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”.

Edgar, si po ndiheni pas transferimit te Viboneze?

Te Viboneze ndihem mirë. Këtu është një ambient shumë i lezetshëm. Jam shumë i kënaqur për këtë zgjedhje. Është klub serioz, profesionist dhe me të gjitha kushtet që ne të luajmë sa më mirë.

A është një atmosferë ndryshe nga ajo që përjetuat te Partizani?

Po, natyrisht që është ndryshe. Por unë nuk bëra asnjë gabim te Partizani. Thjesht gjërat nuk shkuan mirë.

Pse nuk shkuan mirë, çfarë më konkretisht nuk shkoi mirë?

Po unë pata biseduar me Moxhin para se të vija te Partizani. Ai më parashtroi një projekt, por shumë gjëra më pas nuk u bënë. Kampionati shkoi ashtu si shkoi dhe në fund e prishëm kontratën, sepse nuk kishte arsye që të qëndronim bashkë.

A patët ndonjë zhgënjim për nga mënyra sesi u trajtuat te Partizani?

Shikoni, kur unë erdha në Shqipëri, më patën premtuar se do të punoja në një ambient profesionistësh, në një ambient serioz ku gjërat do të funksionin si duhet. Por, në fakt nuk ishte një ambient edhe aq serioz apo profesionist. Në këtë aspekt, unë nuk jam ndier mirë. Për arsye të tilla, unë u binda se nuk kisha asnjë motiv që të vazhdoja bashkëpunimin me Partizanin. Pastaj ndodhën edhe gjëra që nuk mund të ndodhin kurrë në nivele të larta, pra në nivel profesionistësh. Megjithatë, çdonjëri ka mënyrat e tij të të punuarit dhe unë në fund fare e bëra zgjedhjen time.

Çfarë ju bezdisi apo ju zhgënjeu më shumë gjatë kohës që qëndruat aty?

Marrëdhëniet me klubin. Nuk është se aty njerëzit merrnin përgjegjësinë e vet apo bënin punën që u takonte. Aty çdo njeri fliste dhe çdo njeri hynte në detyra që nuk i takonin. Bëra një bilanc në fund fare dhe kuptova se aty flisje me dikë dhe pastaj dilte dikush tjetër që vendoste për të kundërtën. E kuptova se nuk ishte një klub i organizuar. Partizani nuk është klub profesionist.

Cani

Gjatë periudhës së fundit, trajneri Gega theksoi se ishte vendimi i tij për t’ju lënë jashtë skuadrës. Ç’mendim keni për të?

Trajneri Skënder Gega ka arsyet e veta, por pretendimet që unë isha jashtë çdo parametri fizik nuk qëndronin.

Si është e vërteta?

 

Kanë thënë që isha 11 kilogramë mbi peshë, por kjo nuk ishte e vërtetë, sepse unë isha në peshën optimale. Pastaj, duke iu referuar situatave të fillimit të sezonit, unë mendoj se shumica e futbollistëve në fillim nuk janë në 100 për qind. Por, nuk ishte kjo arsyeja që më la jashtë. Arsyeja ishte klubi dhe nuk e mora vesh pse dolën fjalë që kishin të bënin me formën time fizike. Megjithatë, nuk është se merrem shumë, sepse e kuptova situatën dhe vendosa që të mos bëj asnjë fjalë.

Çfarë objektivi keni te skuadra e re në aspektin personal?

Së pari, dëshiroj të kaloj një sezon sa më të rregullt dhe të rehatshëm në aspektin profesional. Pra, të mos kem probleme me stërvitjet, me dëmtimet, apo të tjera gjëra të kësaj natyre.

Cani

Te Partizani patët probleme të tilla?

Domosdo që pata. Nuk isha mirë fizikisht për shkak të dëmtimeve, por edhe për mënyrën sesi funksiononte klubi. Tani shpresoj që të shkoj sa më mirë. Më pas objektivat vijnë në progres. Unë jam lojtar profesionist dhe do të bëj maksimumin tim në aspektin sportiv. Eksperiencë kam mjaftueshëm dhe mendoj se kjo do të më ndihmojë.

Për çfarë do t’ju marrë malli nga Shqipëria?

Shikoni, unë pata oferta të tjera nga Shqipëria gjatë kohës që isha duke i dhënë fund aventurës te Partizani. Por vendosa të mos qëndroj më në Shqipëri.

Pse?

Doja që të largohesha, sepse kjo eksperiencë nuk më ka pëlqyer nga ana profesionale, por edhe ana morale sa i përket raportit me klubin. Kështu që kjo ishte e gjitha, doja të ndryshoja diçka dhe e bëra.

Kaq shumë u mërzitët?

Po, në fakt u mërzita disi. Më iku besimi. Erdha në fillim me shumë besim dhe me shumë vullnet, por më ka zhgënjyer kjo eksperiencë te Partizani. Nuk mund të rrija më në një vend ku kisha humbur besimin te njerëzit.

Dikur keni thënë që kampionati shqiptar është një kampionat i mirë. A i qëndroni ende këtij konstatimi?

Unë vazhdoj të mendoj se kampionati shqiptar është një kampionat i mirë. Por ama duhet që të punohet me më shumë profesionalizëm dhe duhet punuar shumë më tepër me moshat. Federata duhet të jetë një shembull më i mirë me strukturat që ka, por edhe klubet duhet të ngrenë struktura serioze. Mendoj se lojtarët shqiptarë kanë shumë cilësi, por ata trajnohen me mangësi. Jo më shumë në aspektin fizik se sa në atë taktik. Taktikisht, trajnerët në Shqipëri nuk janë ende në nivelin që duhet. Megjithatë, unë mendoj se kampionati shqiptar ka vërtet të ardhme.

Gjithmonë keni qenë shpresa e madhe e Kombëtares, por tani do t’ju duhet ta nisni sërish nga e para… A është Viboneze klubi i duhur për ta bërë këtë?

Unë ndihem mirë këtu. Natyrisht, ëndrrat duhet t’i ndjekësh dhe duhet të bësh maksimumin për t’i realizuar, por unë tani jam i lumtur që ndodhem në një klub ku do të punoj mirë dhe do të kem mundësi të aktivizohem rregullisht. Për momentin jam i fokusuar vetëm në këtë aspekt. Nëse jap 100 për qind nga vetja ime, ky po që do të ishte një fillim i mirë./Panoramasport

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...