Forma e shkëlqyer e Reginaldos ka vijuar edhe në takimin e javës së katërt të Kategorisë Superiore, Sulmuesi nga Mozambiku i ka dhënë 3 pikët e radhës skuadrës së Kukësit në një transfertë të vështirë si ajo e "Niko Dovanës".
Verilindorët mposhtën me rezultatin minimal 1-0 Teutën dhe goli i vetëm mban firmën e heroit të një jave më parë ndaj Tiranës. 28 vjeçari shfrytëzoi në maksimum një top të ulur me kokë nga Melo, për ta kaluar më pas sferën poshtë këmbëve të Hidit. Në minutat e fundit bregdetarët kishin shansin më të mirë për të barazuar, por topi i goditur nga Latif u ndal nga shtylla.
Me këtë fitore Kukësi ngjitet në vendin e dytë në kuotën e 7 pikëve aq sa Skënderbeu i vendit të parë por që ka një takim për të rikuperuar, atë ndaj Flamurtarit të dielën. Ndërkohë Teuta mban vendin e 7-të me 5 pikë të grumbulluara.
Në javën e ardhshme Kukësi pret në "Zeqir Ymeri" Kamzën, ndërsa Teuta udhëton drejt Gjirokastrës për tu ndeshur me Luftëtarin.