Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka insistuar se koha e Xherdan Shaqirit do të vijë, i cili ende është në pritje të ndeshjes së parë si titullar për të kuqtë, që prej transferimit të tij në verë.
Kosovari i Zvicrës kaloi në “Anfield” nga Stoke City për rreth 15 milionë euro në korrik, por ende është në pritje të një rasti të madh nga Jurgen Klopp, transmeton Express.
26-vjeçari ka luajtur vetëm 32 minuta për Liverpoolin këtë sezon, me Mohamed Salahun, Roberto Firminon dhe Sadio Manen të pazëvendësueshëm në vijën e sulmit të Kloppit.
Me Firminon në stol kundër PSG-së të mërkurën në Ligën e Kampionëve, Klopp zgjodhi të startojë me Daniel Sturridge para Shaqirit.
Megjithatë, trajneri gjerman e ka lartësuar ndikimin e Shaqirit në klub dhe ka thënë se shansi do t’i vijë edhe atij.
“Shumë i gjallë dhe shumë pozitiv. Jo vetëm nga paraqitjet por edhe në zhveshtore. Të gjithë e duan Shaqin, kështu është, pa luajtur shumë minuta edhe pse më shumë është faji im se i tij”, tha Klopp.
“Ai ka bërë gjithçka për të luajtur, të jem i sinqertë. Kam marrë vendime të ndryshme, por koha e tij do të vijë, të jeni të sigurt”, shtoi ai.