Në tre takimet e para të zhvilluara në kampionatin e këtij sezoni Lushnja nuk ka pasur asnjë humbje të vetme.
Deri më tani skuadra e Lushnjës ka marrë dy barazime në transfertë dhe një fitore në fushën e tyre kundër Orikut. E nisën mbarë në Berat, aty ku edhe mund të kishin fituar, megjithatë, korrigjuan gjithçka në javën e tyre të dytë kundër Orikut në “Roza Haxhiu”.
Ndërsa ndeshja e javës së tretë mund të ishte vendimtare për të marrë kreun e tabelës, por në Rrogozhinë kundër Egnatias ata dolën nga fusha vetëm me rezultatin e bardhë, 0-0. Tashmë janë 5 pikë dhe në ndeshjen e radhës do të kërkojnë fitoren për të marrë pse jo kreun e tabelës.
Pavarësisht kësaj performance nuk po flasim për ndonjë skuadër me histori të madhe, të ketë fituar kupa apo trofe, apo të ketë luajtur në Europë. Po flasim për një ekip të Kategorisë së Parë, që dje udhëtoi me 1000 tifozë me vete.
Dhe ishte një nga udhëtimet më speciale që kemi parë, pasi nga Lushnja në Rrogozhinë ata udhëtuan me tren. Gjë që as tifozët kryeqytetas nuk e bëjnë më tani. Dikur shkonin në Durrës apo Shkodër, por tani kjo traditë iu mbetet vetëm tifozerisës ë këtij qyteti.
Tifozët lushnjarë e treguan me plot zemër dashurinë që kanë për skuadrën e qytetit të tyre. Mbështetje nga fillimi deri në fund! Dikush mund të pyeste se për çfarë trofeu po luhej, nuk ishte për trofe, vetëm java e tretë e kampionatit të Kategorisë së Parë.