Prishja e marrëdhënieve mes Paul Pogba dhe Jose Mourinhos është kthyer në temën e ditës në botën e futbollit. Askush nuk është i qartë se çfarë do të ndodhë në ndeshjen e ardhshme mes tyre, pasi këto raporte kanë qenë të acaruara prej kohësh por francezi ka mbajtur shiritin e kapitenit tek “Djajtë e Kuq”.
Në seancën e fundit stërvitore Pogba është shfaqur i buzëqeshur, por që nuk ka zgjatur shumë, pasi në momentin që është përballur me Mourinhon buzëqeshja e tij u ndal. Në videon e publikuar disa besojnë se kanë arritur të lexojnë buzët e Mourinhos dhe menjëherë i kanë postuar aludimet e tyre në rrjetet sociale.
Fjalët që Mou besohet se ia ka thënë Pogbas janë: “Paul, dil jashtë” dhe tjetra drejtuar stafit të tij, “Dërgojeni Paulin në shtëpi”.
Prishja e raporteve mes trajnerit dhe mesfushorit të Manchester Unitedit ka ardhur pasi ky i fundit publikisht në disa intervista ka kritikuar lojën e skuadrës. Ndërsa arsyeja tjetër është se dëshiron t’i bashkohet Barcelonës gjatë afatit kalimtar të janarit.
Po ashtu mësohet se Mourinho ka vendosur ti heqë atij edhe shiritin e kapitenit, që konfirmon se raportet e tyre janë me të vërtetë mjaft të nxehta dhe me shumë mundësi të dy nuk do të jenë për shumë gjatë në të njëjtin ambient. “Pogba nuk përfaqëson atë lloj lojtari të denjë për të mbajtur shiritin e kapitenit. Manchester United është një klub shumë më i madh se çdo lojtar i vetëm” mësohet të ketë thënë Mourinho, në komunikimin e lajmit për skuadrën.