Mes Kukësit dhe Luftëtarit në 45’ minutat e para në “Elbasan Arena”, nuk ka asnjë fitues dhe ndeshja është paraqitur e vakët. Kësaj përballje i mungoi ritmi, teksa mungesa e tifozëve e bëri edhe më të mërzitshëm këtë takim që nuk dhuroi asnjë emocion në 45’ minutat e para.
Një 45-minutsh i parë i mërzitshëm ku munguan rastet e rrezikshme. Skuadrat luajnë më tepër në mesfushë, ku spikasin dyluftimet. Kukësi është ekipi që impenjohet më tepër, por Reginaldo nuk shërbehet asnjëherë mirë nga shokët e skuadrës. Pas 19′ minutash lojë Kukësi ka një mundësi të mirë, por Ethemi nuk ka shënjestrën e duhur. Kjo pjesë u mbyll me portierët në rolin e spektatorit, pasi asnjë prej tyre nuk pati punë.
Kukësi-Luftëtari 0-0
Edhe takimi tjetër, ai mes Kamzës dhe Laçit u zhvillua pa tifozë, ndërsa sërish munguan golat. Pavarësisht dëshirës dhe impenjimit nga të dyja skuadrat nuk pati ndonjë rast për t’u evidentuar. Ekipi i Kamzës mori një goditje të rëndë pas 14’ minutash lojë, pasi kapiteni Sebino Plaku lë fushën i dëmtuar, në vend të tij u aktivizua Niko Zisi. Në minutën e 21’ vendasit kanë një mundësi të mirë me sulmuesin Martinena, i cili provon me kokë, por Selmani largon rrezikun duke grushtuar. Laçi regjistroi gjuajtjen e parë drejt portës së vendasve me anë të Jonuzit, i cili gjuan nga brenda zonës, por topi devijohet në këndore.
Kamza-Laçi 0-0