Fillimi i sezonit 2018-19 në Superiore nuk ka qenë pa ndryshime sa i takon arbitrave dhe shpërndarja e tyre ka qenë shumë më e zgjeruar se një sezon më parë. Kur ishim mësuar të shikonim arbitrat më të njohur në Shqipëri të gjykonin numrin më të madh të ndeshjeve, ky sezon ka qenë shumë ndryshe dhe në gjashtë javët e para, kanë qenë plot 17 arbitra që kanë gjykuar.
Diçka që nuk ka ndodhur prej shumë kohësh në kampionatin shqiptar të futbollit. Sezonet e kaluara, arbritrat më me pak eksperiencë drejtonin ndeshje të dorës së dytë dhe kjo gjë nuk po shikohet në këtë sezon të ri. Arbitra si Kuka, Siri, Sokoli dhe disa të tjerë, drejtuan shumë pak në sezonin e kaluar, duke qenë shumë mbrapa emrave si Xhaja, Meta, Jorgji e Hamiti.
Sezonin e shkuar, Juxhin Xhaja ishte i pari në listë për gjyqtarin që ka drejtuar më shumë ndeshje. Xhaja drejtoi plot 22 ndeshje në Superiore, i ndjekur nga Jorgji me 19 dhe Meta me 18. Ky sezon pritet të jetë shumë më i ndryshëm se ai i shkuari dhe FSHF duket se po iu jep mundësinë të gjithëve të tregojnë vlerat e tyre.
Përveç zgjerimit të gjerë të numrit të arbitrave, në Superiore ka pasur dhe një arbitër debutues. Hermal Llapra drejtoi ndeshjen e tij të parë në Superiore, takimin mes Kukësit dhe Luftëtarit. “Vipsport” ka mësuar se përveç Llapras, pritet të debutojë edhe një gjyqtar i ri, Nik Bajrami.
Listat e FSHF janë ndarë me 18 kryesorë dhe 36 asistentë në Superiore. Politika për të testuar të gjithë gjyqtarët e rinj do të vihet në zbatim vetëm në javët e para nga FSHF, pasi në momentin që kampionati do të futet në fazën e nxehtë dhe ndeshjet do të kenë rëndësi shumë më të madhe, do t’i besohet sërish eksperiencës.
Enea Jorgji 3
Eldorjan Hamiti 3
Laver Alla 2
Ardian Beqiri 2
Olsi Sokoli 2
Kreshnik Cjapi 2
Andi Koçi 2
Orlando Kuka 2
Kridens Meta 2
Juxhin Xhaja 2
Indrit Myrtja 2
Hermal Llapra 1 (Debutues)
Olsid Ferataj 1
Klajdi Kola 1
Klodian Shahini 1
Emirjon Sino 1
Blerim Ziri 1
Ndeshje në Superiore 30