Liverpooli nuk u tregua mjaftueshëm i rrezikshëm në fazën e sulmit në ndeshjen e mbrëmshme kundër Napolit, dhe trajneri i klubit, Jurgen Klopp mbeti i irrituar me sulmuesit e tij, Roberto Firminon dhe Sadion Manen.
Në xhiron e dytë të grupit C të Ligës së Kampionëve, Liverpooli u mposht nga Napoli me rezultat 1-0 në stadiumin Sao Paolo. Në minutat e fundit të ndeshjet, Lorenzo Insigne shënoi nga brenda zonës së portierit për t’ia siguruar tre pikët skuadrës së tij.
Kloppi mbeti i zhgënjyer me performancën e skuadrës së tij, duke i theksuar dy sulmuesit, Firminon dhe Manen, të cilët sipas trajnerit gjerman, vraponin me topin më tepër se sa që ishte e nevojshme.
“Ne kishim momentet tona, por shumë shpesh formacioni nuk ishte i duhuri ose ne lëviznim në hapësirat e gabuara. Puna e mesfushës ishte pothuajse e pamundur. Duhet të qëndrosh i qetë në situata të tilla, por ne ishim shumë të tensionuar me topin”, ka thënë Klopp.
“Nganjëherë Firmino vraponte më tepër se që ishte e nevojshme me topin, e nganjëherë këtë e bënte Mane. Kur ndodhë një gjë e tillë, nuk mund të prodhosh [raste për të shënuar]”.
“Ne duam të luajmë më mirë sesa që luajtëm, por edhe kur nuk luan në mënyrë brilante, ne duam rezultat të mirë. Por, nuk ishin mjaftueshëm të mirë, mund ta fajësojmë vetëm veten”.