Etrit Berisha nuk po kalon një moment të mirë të Atalanta. Portieri i përfaqësues shqiptare ka humbur vendin e tij në rreshtimin e skuadrës dhe si rrjedhojë, edhe fanellën e titullarit me kuqezinjtë. Ndaj nuk është aspak çudi që gjatë janarit, ai të kërkojë një sistemim tjetër, ndoshta jo në Francë ku e kërkuan gjatë verës, por përsëri në kampionatin italian ku nuk mungojnë admirues të tij.
Sipas mediave përtej Adriatikut, për të interesohet klubi i Xhenoas, pasi ai është një alternativë e mundshme që po shqyrtohet pasi portierët që ka aktualisht në përbërje nuk japin garanci. Ironia e fatit do që titullari i Xhenoas të jetë një emër i njohur për Berishën, më saktësisht portieri që e detyroi t’i jepte lamtumirën Lacios, Federiko Marketi.
Ky i fundit humbi më pas vendin e titullarit ndaj Strakoshës dhe u largua edhe vetë, por më përpara u sigurua që Berisha të mos i bënte rivalitet te bardhekaltërit, duke shtyrë për transferimin e tij. Nëse zërat e merkatos konfirmohen, Berisha do të shkoj t’i zërë vendin pikërisht 33-vjeçarit italian, i cili nuk arriti kurrë të përmbushte pritshmërinë, edhe pse shumëkush e shihte si pasardhësin e Bufon.