“Tre luanët” do të zbarkojnë në stadiumin e Rijekës të premten për zhvilluar përballjen me Kroacinë në Ligën e Kombeve të UEFA-s.
Është një “ripërsëritje” e gjysmëfinales së botërorit dhe tifozët anglezë shpresojnë që Anglia do të arrijë të hakmerret ndaj Kroacisë për disfatën që pësoi këtë verë dhe që e la jashtë finales së madhe në Rusi 2018.
Në favor të ishullorëve është stadiumi bosh i imponuar nga dënimi i UEFA-s për një kryq nazist të tifozëve, por hierarkia e grupit 4 është e komplikuar, me 3 gjigantë botërorë si Spanja, Kroacia dhe Anglia. Pasi dështuan në mënyrë të bujshme në premierën e Nations League me humbjen 6-0 ndaj iberikëve, lojtarët dalmatë do të synojnë 3 pikët e para në kompeticion, transmeton kp.
Kroacia do të jetë pa lojtarë veteranë si Manxhukiq, Subashiq dhe Çorluka, ndërsa dëmtimet do të privojnë kombëtaren kroate edhe nga Vrsaljko, Brozoviq, Barishiq, Lovre Kaliniq dhe Duje Cop. Janë rikthyer në skuadër Lovren dhe Ante Rebiq, që munguan në premierën ndaj Spanjës.