Sonte në orën 20:45, Shqipëria ka përballjen e rëndësishme me Izraelin në stadiumin e qytetit Be’er Sheva.
Edhe pse hermetik në përgatitje, formacioni, me të cilin mund të zbresin në fushë kuqezinjtë e trajnerit Christian Panucci, pritet të jetë i bazuar në skemën 4-4-1-1. Nga informacionet që kemi mësuar, në këtë ndeshje do të luajnë futbollistët me eksperiencë të kombëtares.
Kombëtarja kuqezi është akomoduar në qytetin Ashkelon, rreth 70 km larg qytetit Be’er Sheva, ku do të zhvillohet ndeshja e mbrëmjes së sotme kundër Izraelit.
Përfaqësuesja shqiptare mbërriti në hotel pasditen e së shtunës dhe ka qëndruar e mbyllur, duke mos zhvilluar asnjë seancë stërvitore. I vetmi që ka parë stadiumin ka qenë trajneri Panucci, ku dha edhe konferencën për shtyp.
Sa u përket lojtarëve që pritet të aktivizohen dhe formacionit të mundshëm për ndeshjen e mbrëmjes, në portë pritet të luajë Strakosha; në mbrojtje Hysaj, Mavraj, Gjimshiti dhe Lenjani; mesfusha pritet të formohet nga Basha, Xhaka, Memushaj dhe Grezda; i vetëm në sulm pritet të jetë Balaj, që me shumë gjasë do të mbështetet nga prapa krahëve prej Uzunit.