Jose Mourinho kërkon me çdo kusht që të marrë në skuadër Ivan Perisic dhe Ante Rebic, për të shpëtuar sezonin e vështirë që po kalon te Manchester United. Portugezi është i pakënaqur nga ajo që ka bërë klubi gjatë verës duke mos i blerë lojtarët që ai dëshironte, për këtë i ka kërkuar drejtuesve që të veprojnë në janar.
Tekniku kërkonte me ngulm Harry Maguire nga Leicester dhe Toby Alderweireld nga Tottenham, por asnjëri prej tyre nuk erdhi. Po ashtu ai u interesua për Ivan Perisic por United e bëri të qartë që nuk kishte ndërmend të paguante 55 milionë euro për lojtarin e Interit. Ndërsa Eintracht Frankfurt kërkoi 45 milionë euro për Ante Rebic, shifër gjithashtu e lartë për klubin anglez.
Por të shtunën në mbrëmje Mourinho ishte i pranishëm në ndeshjen e luajtur mes Anglisë dhe Kroacisë, ku të dy futbollistët ishin titullarë. Në verë, plani i Mourinhos ishte t’i merrte të dy lojtarët në mënyrë që të kishte mjaftueshëm ndihmë nga krahët për Romelu Lukakun dhe sipas mediave britanike ky vazhdon të mbetet plani i tij.
Megjithatë duket e vështirë që të paktën në rastin e Perisic, Inter të bindet të shesë lojtarin në janar, pa pasur një zëvendësues cilësor. 29-vjeçari është pjesë kyçe e planeve të Spallettit dhe tekniku italian nuk do të jetë dakord të shesë përkundër çdo shifre që mund të vijë nga United. Më ndryshe duket situata me Rebic, me 25-vjeçarin që duket i gatshëm për të lënë Frankfurt për një skuadër të madhe dhe për më tepër do të ketë mundësi të luajë në Champions League, gjithmonë nëse United kualifikohet nga grupi ku luan me Juventus dhe Valencian.