Kombëtarja shqiptare U-21 e drejtuar nga Alban Bushi nuk ka shkuar më shumë se një barazim 2-2 në transfertën e Estonisë.
Edhe pse kuqezinjtë ishin futur në fushë pa asnjë objektiv të madh, pasi ishin eliminuar, ky rezultat është negativ për kombëtaren tonë pasi vjen ndaj kundërshtarit më të dobët në grup, Estonisë, që grupin 2 kualifikues të Euro U-21 e mbyllin me dy pikë, pas dy barazimeve pikërisht ndaj kuqezinjve.
Sa i përket takimit ai nisi praktikisht me gol për të besuarit e Bushit të cilët kaluan në avantazh përmes Sulejmanov pas 12 minutash lojë. Megjithatë, kuqezinjtë nuk ditën të menaxhojnë avantazhin, me estonezët që arritën të vendosnin baraspeshën brenda fraksionit të parë të lojës.
Ishte Liivak i cili vulosi shifrat në 1-1, ndërsa ishte pikërisht ky i fundit që kishte shansin e artë të dërgonte në avantazh të tijët në dhomat e zhveshjeve, por goditja nga 11 metërshi la për të dëshiruar. Me rikthimin në fushë, ishte sërish Sulejmanov ai i cili kaloi të tanët në avantazh, por Liivak 3 minuta përpara fundit i dha një pikë morali Estonisë.
Kombëtarja e Alban Bushit i mbylli këto eliminatore në vendin e parafundit në kuotën e 7 pikëve, duke marrë vetëm 1 fitore dhe katër barazime në 10 takime.