Injorimi që u bëhet futbollistëve të Superiores nga trajneri i kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi, është bërë shpesh temë diskutimi, pasi në radhët e kuqezinjve vijnë shpesh emra të panjohur, apo lojtarë të cilët grumbullohen sapo largohen nga kampionati shqiptar. Ervin Bulku, personi i caktuar nga Kristian Panuçi për të mbikëqyrur kampionatin shqiptar, ka treguar në “Gol pas Goli” pse ekziston ky trajtim i veçantë për kampionatin shqiptar.
“Pse nuk është thirrur Trashi në përfaqësuese? Ai e di mirë mendimin tim, edhe të trajnerit ndaj tij. Por pse thirren sapo largohen ndodh për një arsye të thjeshtë. Kjo pasi kampionati i huaj është diçka tjetër. Kampionati i huaj ka ritëm tjetër nga kampionati shqiptar”, tha Bulku.
Ai argumentoi se nuk ekzistonte injorimi i Superiores, thjesht merreshin lojtarët më në formë. “Latifi dhe Abazaj janë thirrur në kombëtare kur kanë qenë pjesë e Superiores. Të dy shkuan jashtë, nuk luajnë me klubet e tyre dhe nuk thirren në kombëtare. Edhe Gavazaj ka qenë më përpara i grumbulluar me kombëtaren, para se të shkonte në Rusi”, deklaroi ai.
“Jam unë që ndjek javë për javë kampionatin shqiptar. Por edhe Panuçi dhe video-analisti i kombëtares e ndjekin atë rregullisht dhe shohin lojtarët”, deklaroi zëvendëstrajneri i përfaqësueses.