Në rikthimin e tij në Old Trafford, Cristiano Ronaldo u ribashkua edhe me ish-trajnerin e tij në Manchester Unitedit, Sir Alex Fergusonin, të cilin e ka lavdëruar në mbishkrimin e fotografisë që e ka publikuar në llogaritë e tij në rrjetet sociale.
Sulmuesi i Juventusit arriti të fitojë me skuadrën e tij kundër ish-klubit të tij, Manchester Unitedit, në ndeshjen e zhvilluar mbrëmë në Old Trafford. Kjo ndeshje, e vlefshme për Ligën e Kampionëve, përfundoi me rezultat 1-0 në favor të italianëve.
Edhe pse është larguar nga klubi para nëntë viteve, tifozët ende e duan atë shumë dhe ata e mirëpritën Ronaldon me duartrokitje dhe brohoritma. Ronaldo i kishte shënuar 118 gola në 292 ndeshje për “Djajtë e kuq” gjatë gjashtë sezoneve nën drejtimin e Fergusonit.
“Këtu kam shumë kujtime të dashura për mua, veçanërisht me Sir Alex Fergusonin, të cilin ia dërgoj një përqafim të madh. Ai është dikush të cilin nuk do ta harroj kurrë dhe dua t’ia uroj atij gjitha të mirat. Ai më ka ndihmuar shumë mua”, kishte thënë Ronaldo në konferencën për shtyp para ndeshjes.
Përqafimin të cilin ia dërgoi skocezit me fjalë, pati mundësi ta realizojë menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, kur u takua me ish-trajnerin e tij. Fotografinë e bërë nga ky takim, Ronaldo e postoi në llogaritë e tij në rrjetet sociale.
“Një trajner i mrekullueshëm dhe, mbi të gjitha, një njeri i mrekullueshëm. Më ka mësuar shumë gjëra brenda dhe jashtë fushës. Është e mrekullueshme të të shoh në gjende të mirë, shef”, ka shkruar Ronaldo në Twitter.