Në prag të sfidës e Skënderbeun, trajneri i Partizanit Skënder Gega, ka shpjeguar situatën e Trashit të dënuar për çështje disiplinore dhe ka siguruar se të kuqtë synojnë fitoren përballë korçarëve. Ndërkohë futbollisti Renaldo Kalari tregon se problemet fizike janë lënë pas dhe për Skënderbeun do të jetë 100% I gatshëm. Të hënën mbyllet java e 10-t e kampionatit me supersfidën Partizani-Skënderbeu që luhet në “Selman Stërmasi”. Në prag të ndeshjes, trajneri i Partizanit Skënder Gega, e nisi konferencën për shtyp duke sqaruar situatën e Lorenc Trashit, futbollistit të pezulluar nga klubi për çështje displinore që do të mungojë kundër korçarëve.
"Trashi nuk ka pse rikthehet sepse nuk ka ikur, është me ne. I kemi dhënë kohën për të reflektuar dhe e ka bërë. Ka kërkuar ndjesë para ekipit dhe para klubit. Çdo gjë shpresoj se do shkojë mirë dhe shumë shpjet do jetë me grupin" tha ai.
Me tej Gega u shpreh se Skënderbeu është thjesht ndeshja e radhës ku Partizani do të kërkojë fitoren.
"Kemi edhe 30 ndeshje. Kundër Skënderbeut do hyjmë për fitore, por vlen tre pikët, s’marrim dot më shumë. Do të luajmë edhe shumë takime të tjera pas kësaj" u shpreh Gega
Ndërkohë futbollisti Renaldo Kalari, i cili do ta marrë vendin e Trashit për sfidën me korçarët, siguroi se i ka lënë pas problemet fizike dhe do të jetë plotësisht I gatshëm për ndeshjen.
"Sakrifikova gjysmë stërvitje për të mos rrezikuar që të kaloj te një problem më i madh. Ishte një kontraktim i vogël kështu që nga sot do të jemë 100% i gatshëm për ekipin" tha Gega.
Partizani udhëheq Superligën pas 9 javësh me 22 pikë, 2 më shumë se Skënderbeu i vendit të dytë.