Trajneri i sapo shkarkuar nga Real Madridi, Julen Lopetegui, e ka thënë se dëshiron ta falënderojë klubin për mundësinë që ia dha, përmes një komunikate të shkurtër vetëm pak orë pasi mësoi lajmin se klubi e përjashtoi.
Spanjolli po ashtu i uroi fat tashmë ish-klubit të tij për pjesën e mbetur të sezonit.
“Pas vendimit të bordit të drejtorëve të Real Madridit, dua ta falënderoj klubin për mundësinë që ma dha”, tha Lopetegui.
“Po ashtu, dua t’i falënderoj lojtarët për përpjekjet dhe punën e tyre, si dhe secilin prej anëtarëve të klubit, që më trajtuan mirë gjatë qëndrimin tim në klub”, shtoi ai.
“Dhe natyrisht, tifozët për inkurajimin. Paçi fat në pjesën e mbetur të sezonit”, theksoi ai.
Real Madridi mori vendim ta shkarkojë Lopeteguin të hënën në mbrëmje pas vetëm 137 ditëve në detyrë, dhe e ka emëruar në vend të tij Santiago Solarin por vetëm përkohësisht.