Briken Calja bëri një paraqitje të mirë deri në peshën 73 kg, në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes, i cili po mbahet në Turkmenistan, por nuk ia doli të merrte asnjë medalje në shkëputje, shtytje apo edhe në dy garësh.
Peshëngritësi shqiptar ngriti me sukses provën e parë në shkëputje, me 148 kg, ndërkohë që edhe e dyta ishte e suksesshme, me 153 kg. Provën e tretë, Calja nuk arriti nga ngrinte dot, me peshën 157 kg. Stilin e shkëputjes, ai e mbylli vetëm në vendin e gjashtë në klasifikim.
E njëjta tablo ishte edhe në stilin e shtytjes. Calja ngriti me sukses dy provat e para, në 181 kg dhe 186 kg, ndërsa e treta, ishte pa sukses, me shtangën që ishte në 189 kg. Vetëm vendi i shtatë në shtytje, dhe në dygarësh, Calja e mbylli në vendin e gjashtë, me 339 kg në total.
Kujtojmë që e gjithë gara e shqiptarit, u karakterizua nga dhimbje të forta, pasi që në provën e parë, ai pësoi një kontraktim në kofshën e majtë, dhe Calja shtrëngoi fort dhëmbët për të gjithë pjesën e mbetur të garës, por pa u dorëzuar për asnjë moment.