Probleme për Tiranën, jo vetëm në rezultate. Barazimi i sotshëm me Kukësin nuk u prit mirë nga tifozët, të cilët hynë në fushë pas përfundimit të takimit. Ultrasit bardheblu kërkuan që lojtarët të hiqnin fanellat, ndërkohë që ndërhyrja e policisë erdhi me vonesë.
Forcat e rendit kanë dalë me një njoftim paraprak, ku sqarojnë çfarë ka ndodhur: “Më datë 06.11.2018, rreth orës 19:50 në përfundim të ndeshjes së zhvilluar midis ekipeve ‘Tirana -Kukësi’, të zhvilluar në stadiumin ‘Selman Stërmasi’, kanë hyrë në fushë disa tifozë të Tiranës, ku një pjesë e tyre janë shoqëruar nga shërbimet e policisë në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Gjatë hyrjes së tifozëve në fushë ka mbetur i dëmtuar lehtë një shtetas, të cilit i është dhënë ndihma e duhur mjekësore. Po punohet për identifikimin dhe shoqërimin e personave të tjerë”.
PROBLEMI TJETËR – Policia e Shtetit, që në takimin për derbin ka shfaqur hapur kundërshtinë për mënyrën e ndarjes së tribunave. Historikisht në tribunën qendrore tifozët bardheblu kanë qëndruar në sektorin A, që është i ngjitur me sektorin mik.
Po ashtu edhe pjesa e tribunës qendrore e atribuuar për skuadrat udhëtuese, është krah tribunës tjetër të tifozëve të Tiranës, ccka e bën problematike garantimin e rendit. Pa ndryshuar pozicionimi i tribunave për tifozët, Policia e Shtetit nuk merr përsipër ndeshjet që skuadra kryeqytetase zhvillon në “Selman Stërmasi”. Kështu kishte ndodhur edhe në takimin me Kukësin, ku tifozët zaptuan fushën pas përfundimit të ndeshjes.