Kur kanë mbetur vetëm dy ndeshje për të plotësuar fazën e grupeve Kontinenti i Vjetër njeh vetëm shtatë klube që kanë siguruar kalimin për në turin tjetër të Europa League. Në 32 ekipet që do të vijojnë më tej aventurën e tyre në muajin shkurt në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë tashmë janë kualifikuar skuadra të tilla si: Leverkusen, Zurich, Dinamo Zagreb, Arsenal, Eintracht, Lazio dhe Chelsea, ndërkaq po shtatë është edhe numri i ekipeve që janë eliminuar para kohe: Ludogorets, AEK Larnaka, Anderlecht, Dudelange, Marseille, Apollon Limassol dhe Akhisarspor. Bëhet fjalë pra për ndeshjet e parafundit në grupe dhe në Supersport të apasionuarit e këtij kompeticioni i pret një kalendar i ngjeshur, ku përvec gjithë ndeshjeve në kohë reale dhe golave direkt të krejt sfidave do të kenë mundësi për të ndjekur gjithashtu edhe plot tetë takime nga java e pestë e kësaj faze në Europa League.
Mes katër skuadrave italiane që figurojnë në listën e gjatë të klubeve që e kanë fituar Kupën Uefa apo qoftë edhe aktivitetin e tanishëm, sipas këtij formati, që hyn në edicionin e 10, mungon emri i ekipit të Milanit. Për të dytin sezon radhazi “kuqezinjtë” synojnë të shkojnë larg në këtë kompeticion, sidoqoftë klubi i famshëm lombard këtë herë nuk ka asgjë të sigurtë as përsa i përket kalimit të kësaj faze. Në Grupin F ,Real Betis kontrollon situatën në kuotën e 8 pikëve, ndërsa Milani dhe Olimpiakosi ndjekin nga pas me vetëm një pikë më pak. Është e kuptueshme që për shkak të kalendarit të ndeshjeve gjithçka në këtë grup do të përcaktohet në takimin përmbyllës, që do të luhet pas dy javësh, në Stadiumin Georgios Karaiskakis Olympiacos-Milan, gjithsesi ekipi i Gatussos fillimisht duhet të marrë 3 pikët në San Siro me një kundërshtar modest si Dudelange, ndërkaq në duelin tjetër Real Betisi mund të kualifikohet që në këtë takim, nëse mposht “bardhekuqtë” nga Pireu, me përballjen e parë dy muaj më herët që përfundoi me rrjeta të paprekura, ndonëse ekipi andaluzian shpërdoroi mundësi të shkëlqyera për të fituar sfidën. Po në orën 18:55 në Olimpijski të Kievit do të luhet takimi Vorskla-Arsenal, me klubin ukrainas që ka nevojë për një mrekulli për të kaluar në fazën e knock out-it.
Në krahun tjetër finalistët e vitit 2000 kryesojnë Grupin E me tre pikë më tepër se Sportingu i Lisbonës dhe e kanë siguruar prej kohësh kualifikimin, prandaj është e kuptueshme që trajneri bask Unai Emery të mendojë më shumë për derbin londinez që “topçinjtë” do të kenë ditën e dielë në Emirates me një ekip si Tottenham Hotspur. Interes ngall gjithashtu edhe takimi Fenerbahce – Dinamo zagreb. Në Grupin D klubi kroat është kualifikuar prej kohësh, teksa kryeson me pikë të plota, e në fakt 12 pikë pas katër ndeshjeve të para në grupe kanë grumbulluar vetëm Salzburgu, Eintracht-i dhe Chelsea. Në Zagreb Dinamo i shkatërroi “verdheblutë” me shifrat 4-1, ndërsa tani ky takim i nevojitet më shumë ekipit të holandezit Erëin Koeman, që gjithsesi ka katër pikë më shumë në klasifikim sesa ndjekësi më i afërt që është Spartaku i Trnavës. Në mbrëmje në Grupin H dy ndeshjet Apollon – Lazio dhe Eintracht – Marseille luhen thjesht për statistika, pasi klubi roman dhe ai nga Frankfurti e kanë siguruar kalimin për në raundin tjetër. Po në orën 21:00 në Grupin L Chelsea i kualifikuar pret në Londër PAOK-un, që ka nevojë për 6 pikë në dy ndeshjet e fundit për të kaluar mes 32 skuadrave më të mira, ndërkaq në Grupin G që është njëherësh edhe grupi më i ekuilibruar, pasi katër ekipet ndahen nga vetëm dy pikë në tabelën e renditjes, Glasgow Rangers klubi ku luan mesfushori i përfaqësueses kuqezi Eros Grezda do të presë në Ibrox kryesuesit e Villarreal-it.