Mesfushori me origjinë shqiptare i Arsenalit, Granit Xhaka, dhe bashkëshortja e tij, Leonita, do të përballen me kritika të ashpra nga publiku, sipas gazetës angleze The Sun, pasi që e bënë shqiponjën me duar në një darkë romantike për festën e 28 Nëntorit.
Xhaka e kishte festuar përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë mbrëmë derisa darkonte me bashkëshorten e tij, Leonitën, në një restorant në Londër. Ata të dy e bënë një foto duke e bërë shqiponjën me duar dhe Xhaka e postoi në Instagram, shkruan The Sun.
Mesfushori i Zvicrës, së bashku me Xherdan Shaqirin dhe Shkodran Mustafin, ka marrë shumë kritika gjatë këtij viti pikërisht për shkak të këtij gjesti. Xhaka dhe Shaqiri festuan me shqiponjë pas golave të shënuar në ndeshjen kundër Serbisë në Kupën e Botës.
Shaqiri, i cili ka lindur në Kosovë, e mban flamurin e Zvicrës në njërën nga këpucët e tij, ndërsa atë të Kosovës në këpucën tjetër. Familja e tij u shpërngul në Zvicër për shkak të luftës në Kosovë.
Edhe familja e Xhakës është nga Kosova. Babai i tij kishte kaluar pothuajse katër vite si i burgosur politik në ish-Jugosllavi për shkak se e kishte përkrahur pavarësinë e Kosovës.
Tani, Xhaka dhe bashkëshortja e tij, Leonita, rrezikojnë të kritikohen publikisht për shkak të kësaj foto.