Partizani ka mundur sërish Tiranën me rezultatin 2-1, në “Selman Stërmasi”. Sa herë këto dy ekipe përplasen mes tyre, ka spektakël në fushë e tribuna, rivaliteti është në nivele maksimale, dëshira për të fituar është njësoj si të ishte ndeshja e parë, ndonëse kjo e sotmja ka lënë pas 150 sfida të tjera. Partizani i njeriut të urtë, strategjik dhe të taktikës, Skënder Gegës, priti sot në “shtëpinë” e bardhebluve, rivalin e Tiranës, të drejtuar nga Ardian Mema, pinjoll i dinastisë “Mema”, Tirons prej ditëve të para të krijimit të këtij ekipi.
Tirana sulmon e para, kërkon të çlirojë presionin jo vetëm për sezonin aspak të mirë të bërë deri më tani dhe humbjen e derbit në fazën e parë, por edhe për të thyer një “mallkim” që e përndjek prej 14 ndeshjesh ndaj Partizanit. Kështu grinta dhe impulset e para në portën e “demave” i japin pikërisht të besuarit e Memës, që fitojnë një goditje këndi që në nisje të lojës, por pa rrezikuar portën. Minutat vijojnë dhe ende pa u nxehur mirë muskujt, janë sërish bardheblutë, që shfaqin rrezik me Grent Halilin që i largon një top nga duart Alban Hoxhës.