E hëna e 3 dhjetorit është dita e Topit të Artë. Mbrëmjen e sotme në Paris të Francës në orën 21:00 do të zbulohet fituesi i çmimit më prestigjoz individual. Sipas të gjitha parashikimeve pritet të thyhet më në fund hegjemonia Ronaldo-Messi që zgjat prej një dekade, me brazilianin Ricardo Kaka që në vitin 2007 ishte fituesi i fundit i Topit të Artë pasi 10 të tjerët i përkasin dyshes Ronaldo-Messi. Të gjitha rrugët sot të çojnë te Luka Modric. Mesfushori kroat i Realit të Madridit është favoriti i madh për të fituar këtë trofe prestigjoz që do të ishte i treti radhazi pas çmimeve që mori nga FIFA, si lojtari më i mirë i Botërorit Rusi 2018 dhe FIFA Best Player. Mbetet për t’u parë se cilët do të jenë ata që do të plotësojnë podiumin mes Ronaldos dhe 3 kampionëve të botës, Varane, Mbappe e Griezmann. Në rast se Modric triumfon sot, Reali i Madridit do të lërë pas Juventusin dhe do të bëhet klubi me shumë lojtarë që kanë fituar Topin e Artë, plot 9. Në Paris do të ndahen edhe disa çmime të tjera nga revista prestigjoze France Football e cila është organizatorja e këtij eventi. Do të nderohet edhe Kylian Mbappe i cili do të shpallet lojtari më i mirë i vitit 2018, nën moshën 21-vjeç. Cermonia e Topit të Artë do të transmetohet live në Supersport duke filluar nga ora 21:00.