Është hedhur sot, në Nion të Zvicrës, në selinë e UEFA-s, shorti për kualifikueset e Kampionatit Europian për U-17 dhe U-19. Gjithsej janë 13 grupe me nga 4 skuadra. Sipas rregullores, do të kualifikohen në “Elite Round” plot 30 përfaqësuese, 26 skuadrat që do të renditen të parat dhe të dytat në grupet e tyre respektive, si dhe 4 vendet e treta më të mira në 13 grupet.
Për U-17 Shqipëria bën pjesë në Grupin 8 së bashku me Portugalinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Turneu “Qualifying Round”, mosha U-17, do të zhvillohet në Portugali në datat 13, 16 dhe 19 nëntor 2019. Ndërkohë, përfaqsuesja U-17 e Kosovës bën pjesë në Grupin 12 me Holandën, Slloveninë dhe Uellsin (ndeshjet do të luhen në Holandë).
Sa i shortit të 19-vjeçarëve, Shqipërisë goglat i rezervuan si rivalë në Grupin 4 Greqinë, Belgjikën dhe Islandën. Sa i përket Kosovës, ajo është shortuar në Grupin 5 me Rusinë, Poloninë dhe Uellsin.